Sulmet e reja izraelite në Gaza – Trump arsyeton Izraelin, fajëson Hamasin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar sulmet e reja të Izraelit në Rripin e Gazës dhe ka thënë se, pavarësisht kësaj, asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin e arritur në Gaza.

Duke folur me gazetarët para udhëtimit në Korenë e Jugut, ai tha se sulmi izraelit ishte plotësisht i justifikuar.


“Vranë një ushtar izraelit. Izraelitët u kundërpërgjigjën. Dhe duhej të kundërpërgjigjeshin”, tha 79-vjeçari.

Lideri amerikan shtoi gjithashtu se Hamasi duhet të sillet “me mirësjellje”, raporton timesofisrael.

“Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë. Thanë se do të jenë të mirë, dhe nëse janë të tillë, do të jenë të lumtur; por nëse nuk janë, do të zhduken”, pohoi ai.

Trump pohoi se zyrtarët e Hamasit u kanë thënë ndihmësve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, se do të çarmatosen.

“Ne në fakt u takuam me disa nga udhëheqësit e Hamasit dhe mendoj se ata janë të pakënaqur kur shohin që disa nga njerëzit e tyre po vriten”, tha udhëheqësi amerikan.

Shkeljen e armëpushimit e komentoi edhe nënkryetari i SHBA-së, JD Vance, “armëpushimi po respektohet. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë përleshje të vogla herë pas here. E dimë që Hamasi sulmoi një ushtar izraelit. Prisnim një përgjigje nga Izraeli, por mendoj se paqja do të ruhet pavarësisht kësaj”.

Ndryshe, autoritetet palestineze tashmë konfirmuan se gjatë sulmeve të mbrëmshme izraelite kanë vdekur pesë persona. /lajmetani/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top