Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Hacıosmanoglu, ka shpallur luftë ndaj skandaleve të basteve të përfshira me gjyqtarët, duke premtuar përjashtim të përjetshëm për çdo zyrtar që shpallet fajtor dhe duke e quajtur krizën “një abuzim që helmon drejtësinë”.
Në një deklaratë të ashpër të publikuar në faqen zyrtare të federatës, ai dënoi zbulimin se qindra gjyqtarë aktivë janë përfshirë në baste, duke e cilësuar këtë si tradhti ndaj vlerave të shenjta të futbollit, ndërsa theksoi se Komiteti i Etikës dhe Bordi Disiplinor po hetojnë çdo rast.
“Arbitrazhi është një profesion nderi, kushdo që e njollos, pa marrë parasysh kush e mbështet, nuk do të punojë më kurrë në futbollin turk”, paralajmëroi Hacıosmanoglu.
Presidenti bëri thirrje për unitet, duke kritikuar klubet që po përfitojnë nga situata për “llogari vetjake”, ndërsa e përshkroi këtë operacion pastrimi si një betejë të panegociueshme për transparencë.
Hetimet po zhvillohen me mbështetjen e plotë të TFF dhe të prokurorëve publikë, ndërsa sanksionet pritet të prekin të gjitha nivelet e sportit.
Hacıosmanoğlu u bëri thirrje të gjithë aktorëve të qëndrojnë pranë gjyqtarëve të ndershëm dhe të pastrojnë “rrjetet e ndotura”, duke premtuar një të ardhme më të pastër pa asnjë kompromis./lajmetani/