Shala i IKD-së: Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë Buxhetin e Kosovës

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se Qeveria Kurti, e cila aktualisht është në detyrë, nuk ka të drejtë të propozojë Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Sipas ligjit për Qeverinë, neni 31.2 përcakton se “Qeveria në dorëheqje ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.” Megjithatë, IKD thekson se ky ligj përcakton qartë se çfarë konsiderohet Qeveri në dorëheqje.


Në nenin 30.2 thuhet se qeveri në dorëheqje është:

Pas shpërndarjes së Kuvendit deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;

Pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit apo kur posti i Kryeministrit mbetet i lirë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re;

Pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Sipas Shalës, asnjëra nga këto situata nuk aplikohet për Qeverinë Kurti, e cila është Qeveri në detyrë dhe jo Qeveri në dorëheqje. Qeveria në dorëheqje është ajo që është zgjedhur nga një legjislaturë e caktuar dhe vazhdon punën deri në momentin e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i përket asaj.

Për këtë arsye, Shala thekson se Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin dhe as Kuvendi nuk ka të drejtë ta miratojë një propozim të tillë.

Scroll to Top