Shefi i ndihmave humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, postoi në rrjetin social X një video nga vizita e tij në Khan Younis, Gaza, e cila tregon shkallën e shkatërrimit pas ofensivës ushtarake izraelite.
Videoja e Fletcher vjen pas një misioni njëjavor nëpër Egjipt, kalimin e Rafah dhe Gazën qendrore – e regjistruar në ditarin e tij të botuar në Observer.
Në raportin e tij, Fletcher e përshkroi shkallën e shkatërrimit si “të jashtëzakonshme”.
“Asgjë nuk mund t’ju përgatisë për Gazën – shkalla e shkatërrimit, humbja dhe forca në sytë e popullit.”
Ai tha se, pavarësisht armëpushimit, “çdo centimetër tregon një histori humbjesh… Gaza është një shkretëtirë. Rrugët janë të mbushura me rrënoja”.
Fletcher, i cili koordinon konvojet e ndihmave përmes Egjiptit, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që ta mbajnë korridorin humanitar të hapur.
“Ua kemi borxh atyre që kanë vuajtur kaq shumë – të dalim nga cikli i mizorisë, terrorit dhe hakmarrjes.” /lajmetani/