Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të nivelit të lartë, të cilat shënojnë një moment historik për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
Presidenca në llogarinë zyrtare në Facebook, ka dhënë detaje për vizitën zyrtare.
Kjo vizitë u përmbyll me një arritje të rëndësishme diplomatike: njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës nga Siria, e cila u finalizua falë ndërmjetësimit dhe mbështetjes së aleatëve të Kosovës në rajon.
Gjatë qëndrimit në Riad, presidentja Osmani u takua me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, me të cilin diskutoi për hapjen e kapitujve të rinj bashkëpunimi në fusha si energjia e rinovueshme, turizmi, bujqësia, arsimi, inovacioni digjital dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Në kuadër të vizitës, ajo zhvilloi takime edhe me:
Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani, me të cilin u bisedua për avancimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar;
Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, ku u diskutua për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe përparimin drejt statusit të vendit kandidat në BE;
Princin e Kurorës së Jordanisë, Hussein bin Abdullah al-Hashimi, me të cilin u dakordua për thellimin e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, tregtisë dhe teknologjisë;
Guvernatorin e Public Investment Fund (PIF), Yasir Al-Rumayyan, për investime strategjike dhe përfshirjen e Kosovës në projekte zhvillimore;
Drejtorin Ekzekutiv të Expo 2030 Riyadh, Talal Almarri, ku u konfirmua pjesëmarrja e Kosovës dhe mundësia për të prezantuar potencialin e saj inovativ dhe teknologjik.
Një moment kyç i vizitës ishte takimi trilateral mes Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, Presidentes Osmani dhe Presidentit të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, ku u zyrtarizua njohja e Republikës së Kosovës nga Siria – një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Presidentja Osmani zhvilloi gjithashtu takime me Presidentin e Ruandës Paul Kagame, Presidentin e Guajanës Mohamed Irfaan Ali, Zëvendëspresidentin e Turqisë Cevdet Yılmaz, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Presidentin e FIFA-s Gianni Infantino dhe Donald Trump Jr.
Në kuadër të Future Investment Initiative (FII), Presidentja Osmani ishte pjesë e tryezës së liderëve, ku mori pjesë në debatin me temë “Cila është kostoja e sigurisë ekonomike?”, duke theksuar rëndësinë e dialogut, inovacionit dhe investimeve për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Presidentja u prit me nderime ushtarake në mbërritjen e saj në Riad dhe mori pjesë në darkën zyrtare të shtruar nga Princi Mohammed bin Salman për pjesëmarrësit e FII.
Përveç takimeve politike dhe ekonomike, Osmani dha dy intervista ekskluzive për mediat prestigjioze “Al Arabiya” dhe “Arab News”, ku foli për zhvillimet e fundit në Kosovë, marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe planet për bashkëpunim të ardhshëm në fusha strategjike.