Rumania do të rikthehet në skenën e Eurovision Song Contest në vitin 2026. Më 30 tetor 2025, bordi i televizionit publik TVR miratoi pjesëmarrjen në edicionin e 70-të të Festivalit Europian të Këngës, i cili do të zhvillohet në Vjenë, Austri.
Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për përfaqësimin rumun: në vitin 2023, kënga e Rumanisë nuk arriti të kualifikohej në finale dhe përfundoi me zero pikë në gjysmëfinale. Për këtë arsye, televizioni publik vendosi të tërhiqej nga gara në vitin 2024, duke përmendur arsye financiare dhe organizative.
Presidenti dhe Drejtori i Përgjithshëm i TVR, Dan-Cristian Turturică, tha se pauza dyvjeçare i ka ndihmuar të kuptojnë se çfarë duhet ndryshuar: “E propozuam rikthimin e Rumanisë në Eurovision sepse, gjatë dy viteve mungesë, patëm kohën për të kuptuar më mirë se çfarë nuk ka funksionuar në marrëdhënien mes TVR-së, industrisë muzikore dhe krijuesve. Mësuam çfarë duhet të ndryshojmë nga ana jonë për të pasur një proces përzgjedhës më konkurrues dhe një show që i përshtatet madhështisë së festivalit”.
Ai theksoi se rikthimi është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë: “Pjesëmarrja në Eurovision është punë ekipore. Kemi kaluar shumë kohë duke harmonizuar pritshmëritë dhe angazhimin e të gjithë atyre që duhet të bashkëpunojnë për të siguruar përfaqësimin më të mirë të mundshëm të Rumanisë. Vlerësojmë edhe mirëkuptimin e Unionit Europian të Transmetuesve, i cili përshtati ftesën për rikthimin e TVR, duke marrë parasysh sfidat me të cilat po përballet institucioni ynë”.
Turturică shtoi se pjesëmarrja synon të forcojë edhe industrinë muzikore në vend: “Me vendimin e sotëm, TVR rikonfirmon angazhimin për të mbështetur artistët rumunë, për të çmuar potencialin kreativ të industrisë muzikore dhe për të promovuar Rumaninë në një nga skenat më prestigjioze ndërkombëtare”.
TVR ende nuk ka zbuluar mënyrën se si do të përzgjidhet kënga përfaqësuese. Detaje të tjera pritet të publikohen në muajt në vijim.
Rumania debutoi në Eurovision në vitin 1994 dhe ka marrë pjesë 23 herë deri më sot. Edhe pse nuk ka fituar kurrë, vendi ka arritur dy herë vendin e tretë: në vitin 2005 me Luminita Anghel & Sistem – “Let Me Try”, dhe në vitin 2010 me Paula Seling & Ovi – “Playing With Fire”. Rezultati më i dobët mbetet ai i vitit 2023, me zero pikë në gjysmëfinale.
Që nga futja e gjysmëfinaleve në vitin 2004, Rumania është kualifikuar në finalen e madhe 14 herë nga 18 pjesëmarrje. /lajmetani/