Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ka theksuar se remitencat e diasporës janë jetike për ekonominë e Kosovës, por ato nuk mjaftojnë për zhvillim afatgjatë nëse nuk shndërrohen në investime produktive.
Në intervistën për “Përballje Podcast”, që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS, Vasolli tha se diaspora kosovare, e cila në numër të madh jeton në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, është një aset unik që duhet trajtuar me qasje strategjike.
“Diaspora është tepër e rëndësishme dhe është një aset që nuk e kanë vendet e tjera. Vetëm në Gjermani llogaritet që jetojnë rreth 600 mijë kosovarë, shumë prej të cilëve janë të suksesshëm dhe të integruar në biznese e profesione të ndryshme,” tha ai.
Megjithatë, Vasolli paralajmëroi se remitencat – që çdo vit sjellin qindra miliona euro në Kosovë – nuk janë burim zhvillimi, por vetëm konsum.
“Remitencat janë shumë të rëndësishme dhe shyqyr që i kemi, sepse mbajnë një përqindje të lartë të GDP-së sonë. Por, në të njëjtën kohë, janë më së paku fitimprurëse për Kosovën”, u shpreh Vasolli.Sipas tij, shumica e parave që vijnë nga jashtë përfundojnë në konsum të menjëhershëm, duke u rikthyer jashtë vendit përmes importeve.
“Ne importojmë shumë e eksportojmë pak. Kjo do të thotë që edhe paratë e remitencave që vijnë, në fund të ditës dalin përsëri jashtë – përmes blerjeve të produkteve të huaja”, shpjegoi ai.
Drejtori ekzekutiv i OEGjK, Besnik Vasolli në “Përballje Podcast”
Vasolli kërkoi që institucionet kosovare të krijojnë mekanizma konkretë për ta orientuar kapitalin e diasporës drejt investimeve në sektorë strategjikë, si prodhimi, energjia, bujqësia dhe inovacioni.
“Na duhet të krijojmë mekanizma institucionalë për t’i tërhequr fondet e diasporës dhe për t’i orientuar drejt investimeve. Jo vetëm me blerë banesa apo prona, por me ndërtuar fabrika, shërbime e kompani që krijojnë vende pune”, theksoi ai.
Duke folur për këtë temë, Vasolli përfundoi me një apel të qartë se Kosova duhet ta shohë diasporën jo vetëm si burim parash, por si partner zhvillimi.
“Remitencat na mbajnë gjallë, por nuk na zhvillojnë. Na duhet një strategji e mirëfilltë për t’i kthyer ato në motor të ekonomisë së vendit”, përfundoi Vasolli. /lajmetani/