Në gjykimin për 400 kilogramë kokainë nga Brazili, dëshmitë e të akuzuarve nxjerrin detaje të reja

Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten dha mbrojtjen i akuzuari Kadri Brahimi i cili tha se në pakot ku u gjet droga kanë menduar se gjendet mishi i bardhë dhe se sipas tij, po të mos reagonte Policia, malli do të shpërndahej nëpër markete. Kurse, i akuzuari Fehmi Bytyqi, i cili tregoi se video-incizimin e kontejnerit e dërgoi tek pronari i kompanisë Izet Sheqiri, procedurë që e kishte bërë çdo herë.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.


I akuzuari Brahimi deklaroi se detyrë e tij e vetme në “MC FOOD” është numërimi i mallit dhe evidentimi i tij. Tha se në rastet kur kanë nevojë punëtorët për shkarkim të mallit, u ndihmon atyre.

I pyetur se pse përderisa sipas video-incizimeve edhe punëtorë të tjerë ishin prezent por vetë e kishte shkarkuar mallin nga kontejneri për në depo, Brahimi tha se për arsye personale të karakterit familjar e ka zbrazur mallin dhe për të zgjidhur më pas problemet familjare gjatë kohës së pauzës.

Lidhur me trajtimin e kamionëve me urgjencë dhe atyre të rregullt- për procedurat e shkarkimi, i akuzuari Brahimi tha se në rastet kur nevojitet që kontejneri i një kompanie përkatëse të zbraset më shpejtë, atë e trajtojnë me proritet për zbrasje, ndërkaq për kontejnerin ku u gjet narkotiku, ai tha se nuk ka pasur urgjencë.

Po ashtu, Brahimi tha se malli që ka qenë në kontejnerë ka pasur dy lloj barkodesh, andaj edhe e kanë veçuar mallin në dy vende. Tha se identifikimin e mallit për veçim të palëve në depo e bëjnë paraprakisht.

Sipas tij, prokurori i rastit, Valdet Gashi i ka thënë se nëse bëhet dëshmitar bashkëpunues do ta lirojë nga masa e paraburigmit.

Për të akuzuarin Izet Sheqiri, Brahimi tha nuk është interesuar asnjëherë për asnjë kontejner dhe se vetëm në raste kur ka mungesa të mëdha të mallit e njoftojnë atë.

Brahimi tha se për shkak të mosdijenisë se çka gjendet në paketimet e mallit përpos mishit të bardhë, për çka edhe është bërë porosia, kishte gjasa që po të mos reagonte Policia, malli do të shpërndahej nëpër markete.

Lidhur me atë se kur e ka kuptuar se në ato paketime është gjetur kokainë, Brahimi tha se e ka kuptuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan përmes mediave kur pa në televizon brenda burgut.

Në këtë seancë filloi dhënien e mbrojtjes edhe i akuzuari Fehmi Bytyqi, i cili tregoi se detyrë të rregullt kishte dërgimin e video-incizimeve të kontejnerëve tek pronari i kompanisë Izet Sheqiri. Transportimi i mallit bëhej nga Porti i Durrësit për në Prishtinë. Tha se këtë procedurë e ka bërë gjithmonë.

“E ka mbajt telefonin tem, mua më ka filmu tu i këputë bllombat dhe po ashtu të gjitha procedurat dhe atë incizim me të 15-in, të dy incizimet Durrës dhe Prishtinë e kemi pas obligim me ia dërgu Izetit”, tha Bytyqi.

Ai sqaroi se së paku katër bllomba i kishte të vendosura kontejneri ku edhe ishte gjetur sasia e narkotikut prej 400 kilogramëve.

Gjithnjë sipas Bytyqit, procedura e forografimit dhe incizimit është bërë në çdo rast dhe jo vetëm të kontejnerit ku edhe ishte gjetur substanca narkotike.

I akuzuari Bytyqi tha se nuk posedon video apo fotografi të rasteve të tjera të transportimit që mallit që ka bërë e që ia ka dërguar të akuzuarit Izet Sheqiri.

Bytyqi tha se arsyeja se pse ka qenë pikërisht ai vozitës i kamionit me kontejner nga ku u gjet edhe droga, është se e kishte radhën për transportin në vend të kolegut që ishin në pozita pune të shoferit të kamionit.

Po ashtu, Bytyqi tha se kontejneri që ishte i porositur për sjellje të mishit të bardhë futej në skenim dhe në rast dyshimi i njëjti kontrollohej edhe fizikisht nga doganierët.

Në këtë seancë ishte planifikuar të japë mbrojtjen i akuzuari Kadri Sheqiri, mirëpo meqenëse nuk ndihej mirë me shëndet, ai u lirua nga kjo seancë dhe vazhduan me mbrojtjen dy të akuzuarit e lartpëmendur.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top