Momenti kur lojtari i Marseilles u rrëzua në terren dhjetë minuta pasi hyri në lojë

Momente shqetësuese u panë mbrëmë në ndeshjen mes Marseille dhe Angers në kampionatin francez, kur Bilal Nadir, mesfushori 21-vjeçar i skuadrës së bardhekaltër, u rrëzua në fushë në minutën e 86-të të ndeshjes.

Nadir, i cili kishte hyrë në lojë në minutën e 76-të, qëndroi për disa minuta i shtrirë në tokë përpara se të largohej me barelë, në mesin e një atmosfere të mbushur me shqetësim. Ndërhyrja e stafit mjekësor ishte e menjëhershme, ndërsa loja u ndërpre për rreth dhjetë minuta.


Pas ndeshjes, klubi francez lëshoi një deklaratë zyrtare, duke siguruar tifozët se gjendja e lojtarit është e qëndrueshme.

“Lojtari ynë nuk humbi ndjenjat gjatë ndeshjes. Ai u ekzaminua nga mjekët e klubit dhe nga personeli i urgjencës. Gjithçka ishte në rregull me të. Ai u dërgua në spital si masë paraprake për një ekzaminim të plotë mjekësor dhe është ende nën mbikëqyrjen e mjekëve”, thuhet në njoftimin e Marseilles.

Bilal Nadir, i lindur në Nice me origjinë nga Maroku, është një nga të rinjtë premtues të klubit. Ai ka qenë pjesë e ekipit të parë që nga viti 2023 dhe këtë sezon ka nëntë paraqitje dhe tre asiste në Ligue 1.

Ndeshja përfundoi me rezultat 2-2, duke bërë që Marseille të humbasë një mundësi të rëndësishme për t’u afruar me PSG-në në garën për kreun e tabelës.

Klubi pritet të publikojë një përditësim të ri mjekësor gjatë ditëve në vijim, ndërsa tifozët i uruan lojtarit rikuperim të shpejtë në rrjete sociale. /lajmetani/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top