Në orën 19:00, u mbyllën qendrat e votimit ku qytetarët mund të votonin sot në zgjedhjet e teta lokale dhe të katërtat ku zgjedhin kryetarë bashkie dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të mund të votojnë vetëm ata që në atë moment ndodheshin në objektin ku po zhvillohej votimi.
Ndërkohë, pas mbylljes së votimeve Arbër Ademi nga koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim”, tha se ata si koalicion i vlerësojnë zgjedhjet si të lira, fer dhe demokratike.
“Me mbylljen e vendvotimeve, në emër të AKI-së falënderoj qytetarët që morën pjesë në votime. Këto zgjedhje për ne kanë qenë më shumë se sa zgjedhje lokale. Tani nis faza tjetër e rëndësishme, ajo e numërimit dhe ruajtjes së integritetit të votës”.”I bëjmë thirrje çdo vëzhguesi të ruaj standardin evropian, në mënyrë që rezultati të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve. AKI i konsideron këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Sot, mbi të gjitha fitues është qytetari, sepse vetëm përmes votës ndërtohet besimi dhe vetëm përmes pjesëmarrjes ndërtohet e ardhmja”, tha Ademi./lajmetani/