Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi tashmë është futur në fazën ligjore që kërkon respektimin e procedurave pas dështimit të krijimit të qeverisë.
“Tashmë jemi futur në fazën ligjore që duhet të respektohen procedurat, është një takim që presidenten e detyron ligji të na ftoj pas dështimit të krijimit të qeverisë. Ashtu siç e thotë ligji, presidentja ka dhjetë ditë që t’ia jap mundësinë mandatarit të dytë dhe në këtë fazë presidentja fton partitë politike për t’u konsultuar dhe për të parë a ka mundësi dhe potencial që dikush nga forcat politike që janë në parlament të ketë shumicën për të ofruar një mandatar të ri për zgjedhjen e qeverisë”, tha Limaj.
Ai shtoi se ky është një takim procedural, ku partive politike u jepet rasti të dëshmojnë nëse kanë mundësi të ofrojnë një mandatar me shumicën e votave. “Nëse jo, atëherë kalojmë në një fazë tjetër ku bëhet konsultimi me presidenten për të caktuar datën e zgjedhjeve”, theksoi Limaj në RTK.
Ai tutje tha se vota e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme, si votë totale ka qenë e orientuar drejt një qeverie nga opozita dhe se ai ka pasur dëshirë që t’i ofrohet Kosovës një qeveri që vjen nga opozita.
Duke folur për negociatat me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti rreth partneritetit të mundshëm, Limaj theksoi se qëndrimi i tij ka qenë që mos të marrë pjesë në qeverisje, por të ketë vetë partneritet në Kuvend.
“Unë ndërtoj qëndrime politike dal nga dal dhe të pjekura dhe e di ku i bëjë më shumë shërbim vendit tim, në fazën e caktuar. Ne kemi nevojë për t’i përafruar qëndrimet në një qeverisje. Nëse nuk e shoh veten që nuk mundem me dhënë kontributin për vendin tim nuk është mirë të shkojë ta pengoj partnerin ose mos t’i shërbej vendit, kjo është arsyeja kryesore”, tha Limaj.
Ai ka theksuar se në këtë fazë do t’i kishte shërbyer vendit më mirë tha Limaj do të ishte parlamenti prandaj siç tha ai për këtë arsye e ka ofruar partneritetin.
Sipas Limajt qeverisja e një vendi nuk bëhet vetëm përmes një ministrisë por përmes ligjeve të mira, iniciativave të mira, debateve të mira dhe unitetit.
Sa i përket koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Limaj u shpreh se kur ndërtohet koalicion dihet vizioni politik i partnerit.
“Koalicioni me AAK-në e kam pas deri në ditën kur janë kryer zgjedhjet. E kam pas dëshirën ta vazhdoj koalicionin edhe në parlament, por në anën tjetër kanë vlerësuar që nuk duan të vazhdojnë e që është normale. Por ndodhi rezultati i pakëndshëm, Aleanca ka pritur më shumë, edhe ne kemi pritur rezultat deri me 12-15 deputetë por nuk ka ndodhur”.