Lëndohet një person, shpërthim në një fabrikë për mbushjen e bombolave të oksigjenit në Kaçanik

Një person ka marrë lëndime trupore pasi sot rreth orës 11:40 dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi në fabrikën për mbushjen e bombolave të oksigjenit në rrugën magjistrale Kaçanik-Ferizaj, në fshatin Nikaj.

Lajmin për lajmetanin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.


Sipas tij, janë njoftuar edhe shërbimet emergjente mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 11:40, jemi njoftuar se në afërsi të një pompës së derivateve në rrugën magjistrale, Kaçanik – Ferizaj, në fshatin Nikaj ka ndodhur një eksplodim, dyshohet bombol e gazit. Janë njoftuar edhe shërbimet emergjente mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në këtë rast një person është i lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në fabrikën për mbushje të bombolave të oksigjenit”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, siç tha Veseli personi i lënduar pas ndihmës së parë në Kaçanik është dërguar në QKUK-Prishtinë.

“Për momentin, njësitet policore dhe ekipet relevante ndodhen në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet hetimore dhe të sigurisë për ndriçimin e plotë të rastit. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, ka thënë ndër të tjerë Veseli. /lajmetani/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top