Kurti thotë se ka ardhur koha që Kosova të merr statusin e vendit kandidat

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, u takua në margjina të Forumit të Paqes në Paris, me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Kombëtare të Francës, Bruno Fuchs me të cilin ka biseduar rreth thellimit të marrëdhënieve reciproke ndërmjet dy vendeve.

Në takim Kurti theksoi rëndësinë e përfundimit të hapave të fundit të mbetur sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.


Ai tha se ka ardhur momenti që të vlerësohet dhe të merr vëmendjen e merituar aplikimi i Kosovës, në mënyrë që të vijohet me pranimin e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat.

Kosova dorëzoi aplikimin në KiE në vitin 2022. Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti raportin e Dora Bakoynaiis që rekomandoi anëtarësimin e vendit në këtë organizatë. Por, anëtarësimi në KiE nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate në maj 2024.

Kurti theksoi edhe nevojën e heqjes së plotë të masave ndaj Kosovës, gjersa ka filluar heqja graduale dhe jemi më shumë se një vit nga momenti kur ish-kryediplomati evropian Josep Borrell, ka rekomanduar heqjen e tyre, raporton KosovaPress.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese më 2023 që përfshinin suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë, suspendimin e vizitave bilaterale, programimi i fondeve.

Vendi ynë mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik 2023 në vlerë 2.1 miliardë euro.

Gjatë një vizite këtë vit në Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas tha se BE-ja ka nisur t’ia heqë gradualisht masat, por nuk dha më shumë detaje.

Është raportuar se masat që kanë nisur të hiqen kanë të bëjnë me MSA, paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top