Kirurgët turq sjellin përvojë të avancuar në Klinikën Torakale në Prishtinë

Me gjithë avancimin në shërbime, Kirurgjia Torakale ende është e kufizuar në trajtimin e deformimeve të rralla të gjoksit, me metoda moderne, minimal invasive, për shkak të kompleksitetit të ndërhyrjes e mungesës në përvojë.

Përvoja që po e sjellin në Prishtinë, ekipi i kirurgëve nga Turqia, sipas U.d. së drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Torakal, Nazmi Kolgeci, është domosdoshmëri në përgatitjen e kuadrove të reja, që do t’i kryejnë në të ardhmen këto shërbime pa ndihmën e mjekëve të huaj.


“Intervenimet që do të realizohen te tumoret e mushkërive, pajisjet janë, por përvoja mjekësore akoma nuk është e mjaftueshme, prandaj ky ekip nga Turqia janë ndër më të mirët. Ne kemi dashtë gjithmonë t’i shtojmë këto shërbime në kliniken tonë dhe t’i përafrohemi vendeve që i kryejnë këto intervenime kirurgjike”, ka thënë Kolgeci.

Deformime të tilla në gjoks prekin 1 në 4000 persona. Dy pacientë u operuan sot. Njëri nga ta nën moshën 16 vjeçe. Një deformim të cilin po e kryen në Prishtinë, pa pasur nevojë të trajtohet jashtë vendit, për më tepër përmes një trajtimi me prerje tepër të vogla, rikuperim më të shpejtë e rezultate më të mira estetike.

Ekipi i kirurgëve në krye me Dr. Recep Demirhan, mjeshtër në fushën e intervenimeve kirurgjike të kraharorit përmes teknologjisë VATS, po qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të Simpoziumit të Kirurgjisë Torakale, që po shfrytëzohet si nismë për ta rritur bashkëpunimin e shkëmbimin e përvojave.

“Sot do të praktikojmë gjithçka që kemi ligjëruar dje në simpozium. Sot do të trajtojmë një rast të tumorit në mushkri me VATS si dhe dy raste të deformimit në gjoks. Sot po i bashkojmë njohurit tona me kolegët kosovar për të kryer tri operime të vështira por që përvoja jonë e bënë shumë të lehtë përfundimin e tyre me sa më pak komplikime dhe rikuperim të shpejtë”, ka thënë Dr. Recep Demirhan- kirurg.

Kjo përvojë, përmes këtyre ndërhyrjeve është hap me rëndësi në mjekësinë kosovare.

“Ky faktikisht është edhe qëllimi jonë që në të ardhmen të gjitha intervenimet kirurgjike të bëhen me profesionistët vendor”, ka shtuar Kolgeci.

E gjitha llogaritet si përvojë që do ta reduktojë nevojën që pacientët të udhëtojnë jashtë vendit për trajtime të tilla.

Nga janari në klinikën e Kirurgjisë Torakale janë kryer rreth mbi 630 operime. /RTK/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top