Juristi Kujtim Kërveshi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas një vendimi gjyqësor që, sipas tij, ka vënë në pah padrejtësi ndaj Albinë Duraku Nurës, e cila, siç thotë ai, është përsekutuar për vite me radhë.
Në reagimin e tij, Kërveshi ka theksuar se “gjykimet profesionale, të drejta e efektive janë gurthemeli i lirisë së Republikës së Kosovës”, duke kritikuar ashpër trajtimin e rastit nga Prokuroria Speciale dhe përfshirjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Janë të rralla rastet kur kam pasur nevojë personale me ‘zbraze’ arsenalin, e me i tregu zyrës së BE-së në Kosovë leksione bazike mbi subjektivitetin juridik të BE-së, të zyrës ndërlidhëse…”, ka shkruar ai.
Sipas Kërveshit, imuniteti i Duraku Nurës është trajtuar “në mënyrën më skandaloze” nga Prokuroria Speciale, ndërsa Zyra e BE-së, kur ka kuptuar se po e humbte betejën, ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.
“Zyra e BE-së nuk i ofronte provat, dhe deri në fundin e gjykimit, provën kryesore e kishin dorëzuar të cunguar, pa anekset e saj”, ka shtuar ai.
Kërveshi akuzon Gjykatën se ka shkelur profesionalizmin e trupit gjykues duke pranuar kërkesën e BE-së për përjashtimin e gjyqtarit, edhe pse ai, sipas tij, kishte vepruar në mënyrë profesionale dhe të barabartë ndaj palëve.
“Trupi i ri gjykues nisi nga fillimi, sot ja vendosi pikën!”, ka përfunduar juristi, duke paralajmëruar se do të deklarohet më gjerësisht “me kohë” për këtë dhe çështje të tjera.