Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth njoftoi të hënën se ushtria amerikane kreu tre sulme ajrore të hënën në ujërat e Paqësorit Lindor kundër anijeve të dyshuara për transportimin e drogës, duke vrarë 14 persona dhe duke lënë një të mbijetuar.
Njoftimi i bërë në mediat sociale të martën shënon një përshkallëzim të vazhdueshëm të ritmit të sulmeve, të cilat filluan në fillim të shtatorit me javë të tëra larg njëra-tjetrës. Kjo ishte hera e parë që u njoftuan sulme të shumta brenda një dite të vetme, transmeton lajmetani.
Hegseth tha se autoritetet meksikane të kërkim-shpëtimit “morën përgjegjësinë për koordinimin e shpëtimit” të të mbijetuarit të vetëm, por nuk tha nëse ai person do të qëndronte në paraburgim apo do t’i dorëzohej SHBA-së.
Në një sulm më herët në tetor, ku mbetën dy të mbijetuar, ushtria amerikane shpëtoi çiftin dhe më vonë i riatdhesoi ata në Kolumbi dhe Ekuador.
Hegseth postoi pamje të sulmeve ajrore në mediat sociale, në të cilat shihen dy anije duke lëvizur me shpejtësi nëpër ujë. Njëra është dukshëm e ngarkuar me një sasi të madhe pakosh. Të dyja shpërthejnë papritmas dhe shihen të djegura.
Goditja e tretë duket se është kryer ndaj dy anijeve që ishin të palëvizshme në ujë pranë njëra-tjetrës. Ato duken të jenë kryesisht të zbrazëta me të paktën dy persona, që shihen duke lëvizur përpara se një shpërthim të përfshijë të dyja anijet. /lajmetani/