Në emisionin “Në Kohë Reale” të gazetarit Flori Gjini, është diskutuar gjerësisht kapja e një arsenali armësh në Tiranë.
Të ftuar në studio ishte eksperti i sigurisë Shemsi Prençi dhe gazetari Julian Kasapi, të cilët analizuan rreziqet që lidhen me trafikun e armëve dhe implikimet e mundshme rajonale.
Eksperti Prençi e cilësoi kapjen si një sukses të rëndësishëm, ndërsa paralajmëroi për korridoret rajonale të trafikut të armëve dhe rrezikun e destabilizimit nga Serbia.
Nga ana tjetër, gazetari Kasapi theksoi nevojën për hetime të thelluara nga prokuroria, duke kërkuar që të zbulohet se ku përfundojnë këto armë dhe kush qëndron pas tyre.
“Nga ajo që shikojmë në video, aty gjenden armë nga 300 euro që janë kallashët e adoptuar dhe deri në snajperët që mund të kushtojnë 10 mijë euro. Në përgjithësi, i gjithë ky arsenal armësh me gjithë bazën dhe armatimin shkon deri në 150 deri në 200 mijë euro,” tha Prençi.
Ai shtoi se pjesa më e madhe e armëve janë të prodhimit të kohëve të fundit, duke përfshirë snajperë me dylbi, pistoleta moderne dhe armë të brezit:
“Të gjitha janë armë moderne, për qitje ekzakte sikurse janë snajperët me dylbi, por edhe armët e brezit dhe pistoletat janë armë të prodhuara në vitet e fundit.”
Sipas Prençit, trafiku i armëve në Ballkanin Perëndimor ndjek tre korridore kryesore, ku Shqipëria është pjesë e një rruge që nis nga Serbia, kalon nëpër Kosovë dhe Malin e Zi, dhe shtrihet deri në frontin e luftës në Ukrainë.
Ai paralajmëroi për rrezikun e qëllimeve më të errëta pas këtij trafiku:
“Ka informacione nga shërbimet sekrete në Shqipëri, por edhe nga policia kriminale, që këto armë që trafikohen duhen parë si tendencë që ka Serbia për të destabilizuar vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Kosovën, pa përjashtuar edhe Malin e Zi.”
“Kjo më përforcon bindjen se nuk kemi të bëjmë vetëm me trafikantë armësh, por mund të ketë edhe qëllime për akte terroriste për destabilizuar Shqipërinë. Ndaj unë e shoh si sukses të Policisë Shqiptare dhe ndaj gjej rastin të bëj një apel për të bashkëpunuar të gjithë me policinë për të luftuar këtë trafik armësh.”
Gazetari Julian Kasapi vlerësoi operacionin e policisë si një goditje të rëndësishme ndaj trafikut të armëve, por paralajmëroi se puna nuk duhet të ndalet me sekuestrimin e arsenalit.
Ai theksoi rolin vendimtar të prokurorisë në këtë rast dhe nevojën për hetime të thelluara që zbulojnë rrjetin e plotë të trafikut.
Nga ana e tij, gazetari Julian Kasapi theksoi se operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë të prokurorisë, i cili u finalizua nga policia falë përgjimeve:
“Mendoj se nëpërmjet hetimit të prokurorisë është arritur të goditet një grup dhe falë përgjimeve u bë e mundur finalizimi nga policia. Nuk është hera e parë që kapen baza armatimesh në Shqipëri. Kemi pasur raste të ngjashme, por problemi është se nuk dimë ku përfundojnë këto armë.”
Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk është hera e parë që kapen baza armatimesh në Shqipëri dhe se hetimet duhet të shkojnë më thellë:
“Duhet kaluar ngazëllimin e kapjes së armëve, por duhet të vijojnë hetimet se ku shiten këto armë, ku blihen dhe kush i blen.”
Kasapi shtoi se trafiku i armëve kryhet kryesisht nëpërmjet kufijve të gjelbër, duke ngritur shqetësimin për sigurinë në kufirin tokësor të vendit.
“Trafiku i armëve bëhet nëpërmjet kufijve të gjelbër. Kjo tregon se vendi ka probleme serioze në kufirin tokësor.” përfundoi Kasapi.