Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, ka siguruar kualifikimin në mesin e 16-të ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, pas një fitoreje dramatike 7-6 ndaj kampionit kroat Novo Vrijeme.
Skuadra nga Prishtina shfaqi një paraqitje të vendosur, duke ruajtur epërsinë gjatë gjithë ndeshjes dhe duke arritur golin vendimtar në sekondat e fundit.
Pjesa e parë përfundoi 4-3 në favor të kampionëve tanë, ndërsa në fraksionin e dytë loja u zhvillua me intensitet të lartë dhe me shumë raste nga të dyja palët.
Halim Selmanaj ishte një nga lojtarët më të dalluar të ndeshjes, duke shënuar tre gola të rëndësishëm në pjesën e parë.
Gola të tjerë për FC Prishtina 01 u realizuan nga Arif Limani, Jeton Rukovci, Fitim Krasniqi dhe Ramadan Alaj, i cili shënoi golin e fitores.
Pas kësaj fitoreje, FC Prishtina 01 ka grumbulluar 3 pikë, ndërsa i mbetet edhe një ndeshje për ta zhvilluar ndaj ekipit kazak Kairat, por tashmë skuadra ka siguruar zyrtarisht kalimin në mesin e 16 ekipeve më të mira të Evropës. /lajmetani/