Liverpooli ka rënë nga vendi i parë në vendin e shtatë në Ligën Premier dhe është eliminuar edhe nga Carabao Cup, duke përjetuar një krizë të papritur pas një fillimi të shkëlqyer sezonal.
Gjatë verës, “The Reds” kryen një revolucion të plotë në afatin kalimtar me një investim rekord prej rreth 565 milionë eurosh. Në “Anfield” mbërritën Alexander Isak (170 milionë €), Florian Wirtz (146 milionë €), Hugo Ekitike (111 milionë €), Milos Kerkez (55 milionë €), Jermie Frimpong (47 milionë €) dhe Giovanni Leoni (36 milionë €). Gjashtë nënshkrime që duhej ta çonin skuadrën e Arne Slot në një nivel tjetër.
Në fillim gjithçka dukej perfekte. Liverpooli mori pesë fitore radhazi në ligë, katër prej tyre të ardhura në minutat e fundit, duke u ngjitur në vendin e parë me pesë pikë epërsi ndaj Arsenalit, Tottenhamit dhe Bournemouthit. Por pas katër javësh gjithçka është përmbysur. “Të Kuqtë” tani janë në vendin e shtatë me 15 pikë, dhe kanë pësuar gjashtë humbje në shtatë ndeshjet e fundit.
Sipas të dhënave të Opta, asnjë ekip tjetër në pesë ligat kryesore evropiane nuk ka humbur më shumë ndeshje që nga 27 shtatori. Madje, Liverpooli është bërë skuadra e parë në histori që fiton pesë ndeshjet e para të Ligës Premier dhe më pas humbet katër të tjerat radhazi.
Krizën e nisi humbja 2-1 ndaj Crystal Palace, që tashmë është kthyer në “makthin” e Liverpoolit: fillimisht i mundi në Superkupën e Kosovës me penallti dhe më pas i eliminoi nga Kupa e Ligës me rezultat 3-0, falë një ndeshjeje të shkëlqyer të Yeremy Pino. Sipas Opta-s, duhet të kthehemi pas në vitin 1934 për të gjetur herën e fundit që Liverpooli humbi në Anfield një ndeshje të Kupës me tre gola diferencë pa shënuar asnjëherë.
“Asgjë nuk po funksionon në Anfield. Te Liverpool pritet të fitojmë çdo ndeshje. Ka shumë arsye pse humbëm 5 nga 6 ose 6 nga 7, por asnjëra nuk është e mjaftueshme për të justifikuar kaq shumë humbje”, pranon Arne Slot.
Kritikat janë të shumta, dhe një pjesë e madhe lidhet me performancën nën pritje të blerjeve të reja.
“Skuadra jonë ndoshta nuk është aq e madhe sa mendojnë njerëzit”, – tha Slot.
Në fakt, Wirtz ende nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa Isak ka vetëm një. Salah po kalon një periudhë të dobët me vetëm 4 gola në 13 ndeshje.
“Gjëja e fundit që më shqetëson është ta rikthej Mon në formë. Ai ka shënuar gjithë jetën e tij dhe do ta bëjë sërish”, – u shpreh trajneri holandez.
Situatën e ka rënduar edhe lista e gjatë e lëndimeve (Leoni, Frimpong, Alisson, etj.), ndërsa largimi i Alexander-Arnold dhe rënia e formës së Robertson kanë krijuar boshllëqe në krahët e mbrojtjes. Për ta mbuluar mungesën, Slot ka provuar madje Szoboszlain si mbrojtës të djathtë.
Në qendër, Van Dijk dhe Konaté janë kritikuar për ekspozim të tepërt ndaj kundërshtarëve, sidomos ky i fundit, që ende nuk ka rinovuar kontratën. Liverpooli ka pësuar gola në 10 ndeshje radhazi, një tjetër tregues alarmues.
“Skuadrat tashmë kanë një mënyrë specifike për të luajtur kundër nesh, dhe është shumë efektive. Ne ende nuk kemi gjetur përgjigjen”.
“Nuk është justifikim, por fakti që kemi luajtur kaq shumë ndeshje jashtë fushe nuk na ka ndihmuar”, deklaroi Slot.
Statistikat e Opta e konfirmojnë këtë: Liverpooli është ekipi që është sulmuar më shumë me topa të gjatë (507) në Ligën Premier këtë sezon — pra 20.3% e pasimeve të kundërshtarëve të tyre janë në këtë formë.
Kampionët e mëparshëm duken se kanë prekur fundin. Tani, Arne Slot dhe Liverpooli duhet të gjejnë mënyrën për të dalë nga kjo krizë që ka përfshirë çdo sektor të skuadrës. /lajmetani/